Festivali “TEKNOFEST Atdheu Blu” do të prezantojë teknologjitë detare të Turqisë

Edicioni i dytë i TEKNOFEST Atdheu Blu do të mbahet nga kjo e enjte deri të dielën në Komandën e Kantierit Detar të Golcukut, në provincën Kocaeli në veriperëndim të Turqisë, raporton Anadolu.

Festivali katërditor, i përqendruar te teknologjitë detare dhe nënujore, do të prezantojë kapacitetet në rritje të Turqisë në industrinë e mbrojtjes dhe teknologjitë detare.

Njësi të specializuara të Forcave Detare Turke, përfshirë Komandën e Operacioneve Nënujore (SAT), Komandën e Mbrojtjes Nënujore (SAS) dhe njësitë e aviacionit detar, do të zhvillojnë demonstrime gjatë aktivitetit.

Vizitorët do të kenë mundësi të vizitojnë edhe disa prej mjeteve kryesore të Marinës Turke, përfshirë anijen e sulmit amfib TCG Anadolu, fregatën TCG Istanbul, jahtin presidencial TCG Savarona, si dhe nëndetëset TCG Murat Reis dhe TCG 18 Mart.

Programi do të përfshijë aktivitete që prezantojnë projektet e industrisë së mbrojtjes dhe përpjekjet e Turqisë për zhvillimin e platformave dhe sistemeve vendase detare.

Edicioni i parë i TEKNOFEST Atdheu Blu u mbajt në Komandën e Kantierit Detar të Stambollit nga 28 deri më 31 gusht të vitit të kaluar dhe tërhoqi 175.000 vizitorë.

TEKNOFEST, festival i Turqisë për teknologji, aviacion dhe hapësirë ajrore, organizon aktivitete për të nxitur inovacionin dhe për të inkurajuar të rinjtë të ndjekin karrierë në shkencë, inxhinieri dhe teknologji të avancuara.