Gjykata Penale në Shkup shpalli aktgjykimi për rastin kundër Rade Trajkovskit – “Shtekli” dhe edhe katër të akuzuarve të tjerë, përcjell TV21. Gjykata dënoi Shteklin me 8 vjet burg, Stefan Kitanov me 5 vjet, Aleksandar Buqevski me 5 vjet, Stojan Millanov me 3 vjet e 10 muaj, ndërsa Filip Tanevski me 5 vjet burg.
Në dënim përfshihet edhe koha që ata kanë kaluar në paraburgim apo arrest shtëpiak, ndërsa të njëjtit kanë afat për të ankimuar vendimin e gjykatës.
Sipas provave të Prokurorisë, droga është ruajtur në banesa me qira, ndërsa është shitur me çmime nga 4.500 deri në 6.000 denarë për gram kokainë dhe 200 deri në 300 denarë për gram marihuanë. Komunikimi është zhvilluar përmes aplikacioneve të komunikimit të siguruar, si “Snapchat”, ndërsa prova kyçe janë siguruar përmes analizës së telefonave mobil.


