Bayerni synon rekord tjetër në Bundesligë

Bayern Munichu është shumë afër t’i gëzohet një tjetër titulli në Bundesligë. Me 70 pikë, ka epërsi prej nëntë pikëve ndaj Dortmundit që është i dyti.

Bayern Munichu luan në udhëtim te Freiburgu të shtunën nga ora 15:30, në ndeshjen e xhiros së 28-të. Dortmundi po të shtunën nga ora 18:30 luan në udhëtim ndaj Stuttgartit.

Bavarezët e synojnë thyerjen e rekordit të golave të shënuar brenda një edicioni në elitën gjermane.

Në edicionin 1971/72, bavarezët kishin realizuar 101 gola. Në këtë sezon i kanë të realizuar plot 97, kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund të kampionatit.

Në sezonin e kaluar ekipi i udhëhequr nga trajneri Vincent Kompany i pati 99 gola të shënuar.

Nuk pritet që Bayerni të ketë punë të lehtë, marrë për bazë sezonin e mirë të Freiburgut. Freiburgu është i teti por synon paraqitjen në njërën prej kupave evropiane për sezonin tjetër. I ka 37 pikë.

Freiburgu është gjysmëfinalist i Kupës së Gjermanisë dhe çerekfinalist i Ligës së Evropës për herë të parë. Do të përballet me Celta Vigon javën tjetër.

Në shtëpi i ka humbur vetëm dy nga 19 ndeshjet e zhvilluara në këtë edicion, në të gjitha garat.