Deputeti serb, Igor Simiq është ankuar për shkelje të rendit kushtetues dhe shkelje të drejtave të serbëve, duke paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka thënë se nënkryetari i zgjedhur serb duhet ta ketë shumicën e deputetëve serbë. Simiq ka shtuar se shorti në Kuvend për nënkryetarin është jokushtetues.
“Është ndërprerë seanca konstituive, siç e dini. Arsyeja është shkelja e të drejtave themelore të njeriut, të popullit serb, shkelja e rendit kushtetues, shkelja e Rregullores së Punës së Kuvendit. Ata janë të vetëdijshëm se çfarë po bëjnë e edhe në seancën e kaluar kam folur shumë herë me kryetarin e Kuvendit duke ia sjellë në vëmendje të gjitha ato që po i shkel nenin 47 paragrafin 2 të Kushtetutës, shkel Rregulloren e Punës së Kuvendit – nenin 12, paragrafin 6, pikën 1 e cila e thotë në mënyrë të qartë: që nënkryetari i Kuvendit që kandidon për vendin e nënkryetarit e që i takon popullit serb duhet ta ketë përkrahjen e shumicës së deputetëve serb. Ai në këtë rast është Sllavko Simiqi, i cili e ka mandatin legjitim me mandat nga zgjedhjet demokratik me 21,355 vota”, ka thënë ai.
Simiq shtoi se Lista Serbe do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.


