Teleskopi Hapësinor James Webb është goditur nga një mikrometeorit duke shkaktuar më shumë dëme sesa pritej. Por shkencëtarët kanë arritur të rregullojnë pasqyrat në mënyrë që shumica e efekteve negative të anulohen.

Dëmi që pësoi teleskopi në maj ishte më i madh se sa pritej, sipas fotove të publikuara në një raport të ri. Punimi i botuar thotë se shumica e ndikimeve të mikrometeorit në pasqyrën e madhe të këtij teleskopi shkaktuan dëme të papërfillshme, por një goditje në mes të majit shkaktoi dëme të përhershme në teleskopin.
Pasqyra e teleskopit është e ekspozuar ndaj hapësirës, por shkencëtarët presin që ajo të ekspozohet ndaj mikrometeoritëve potencialisht të rrezikshëm vetëm një herë në muaj. Segmenti i etiketuar C3 u godit nga një mikrometeorit, por duke qenë se çdo segment i pasqyrës është fleksibël, dëmtimi i segmentit C3 mund të kompensohet, kështu që rezolucioni i pasqyrës parësore në tërësi nuk rrezikohet.
Për momentin, nuk është e qartë nëse kjo është një ngjarje e rrallë që statistikisht mund të ndodhë një herë në disa vite, apo teleskopi është më i ndjeshëm ndaj dëmtimit nga një mikrometeorit sesa ishte parashikuar më parë në modele, shkruan Independent.



