LajmeMaqedoni

Uji në liqenin e Ohrit për momentin është i sigurt për not

Mostrat e marra nga 39 lokacione tregojnë se për momentin uji në Liqenin e Ohrit nga Shën Naumi deri në Radozhdë është i kategorisë së parë dhe mund të përdoret për not.

Për shkak të temperaturave të larta, këto ditë përgjatë bregut të liqenit është shtuar numri i vizitorëve. Problem i madh janë ende lumenjtë e paktë që derdhen në liqen, ku në aspektin mikrobiologjik uji është i pamjaftueshëm ndërsa cilësia kimike është e kategorisë së tretë.

“Falë fuqisë së lartë të vetëpastrimit të liqenit të Ohrit, të gjitha mostrat që janë marrë 15 metra larg bregut janë cilësore. Të gjithë janë të kategorisë së parë, një mostër është e kategorisë së dytë, por mund të përdoret në të gjitha kushtet”, tha Sasho Toçkov– drejtor i Qendrës për shëndet publik– Ohër.

Por me rritjen e numrit të vizitorëve, me ngarkimin e sistemit të kolektorëve dhe prishjet e shpeshta, kjo situatë mund të ndryshojë në kulm të sezonit në muajt korrik dhe gusht. Në disa vende të liqenit ende nuk ka sistem kolektor, kështu që ujërat e zeza derdhen në liqen.

“Vitin e kaluar kemi pasur degradim afër Radozhdës dhe Kalishtës në kulmin e sezonit, në korrik dhe gusht. E presim edhe këtë vit. Nuk ka sistem kolektori, ujërat fekale dhe të zeza nga shtëpitë dhe ambientet gastronomike, që u shërbejnë mysafirëve, përfundojnë në liqenin e Ohrit. Pjesa afër Tërpejcës, ku nuk ka sistem kolektori, ata që e përdorin atë vend për not, ankohen për pasoja të caktuara, ndryshime të lëkurës dhe shqetësime në stomak”, u shpreh Sasho Toçkov – drejtor i Qendrës për shëndet publik– Ohër.

Toçkov paralajmëron se institucionet duhet të merren shumë më seriozisht me mbrojtjen e liqenit, sepse ai nuk mund të përballojë më presionin e ndotjes.

Related Articles

Back to top button
Close
Close