Bota

Studim në Britani të Madhe: Më shumë se 80% e rasteve pozitive me coronavirus nuk kishin simptomat kryesore

Më shumë se 80% e njerëzve që dolën pozitivë në një sondazh kombëtar të coronavirusit në Britani të Madhe nuk kishin asnjë nga simptomat kryesore të sëmundjes ditën që bënë testin, thonë shkencëtarët.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, gjetja ka nxitur frikën se shpërthimet e ardhshme të COVID-19 do të jenë të vështira për t’u kontrolluar pa teste më të përhapura në komunitet, veçanërisht në universitete dhe vendet e punës me rrezik të lartë siç janë objektet e përpunimit të mishit.

Studiuesit thanë se 86.1% e njerëzve të infektuar të marrë nga sondazhi i Zyrës për Statistikat Kombëtare midis prillit dhe qershorit nuk kishin asnjë nga simptomat kryesore të sëmundjes, domethënë një kollë, ose ethe, ose humbje të shijes ose erës – ditën kur ata e bënë testin.

Ndryshe nga testimi i coronavirusit në komunitet, i cili përqendrohet te njerëzit me simptoma, sondazhi në fjalë rregullisht teston dhjetëra mijëra familje në të gjithë vendin nëse banorët kanë simptoma apo jo.

“Për momentin, fokusi është tek njerëzit që kanë simptoma, por nëse nuk ‘kapni’ të gjithë ata që janë asimptomatikë ose presimptomatikë mund të jetë me të vërtetë e vështirë të ndalni shpërthimet në kohë, para se ata të dalin jashtë kontrollit”, ka thënë Irene Petersen , një autore mbi studimin dhe profesoreshë e epidemiologjisë dhe informatikës shëndetësore.

Studimi, i raportuar në Epidemiologjinë Klinike, analizoi simptomat e përshkruara nga më shumë se 36,000 njerëz që u testuan midis prillit dhe qershorit.

Vetëm 115 teste u kthyen pozitive dhe nga ata vetëm 27 persona, ose 23.5%, kishin simptoma të ndonjë përshkrimi.

Kur shkencëtarët ngushtuan numrin e simptomave në tre kryesore për infeksionet e coronavirusit, përkatësisht kollë, ethe, ose humbje të shijes ose erë, numri i raportimit të sëmundjeve ra në 16 ose 13.9%.
Ndërkohë muajin e kaluar, Grupi Këshillimor Shkencor i Qeverisë për Emergjencat (Sage) lëshoi një paralajmërim të ngjashëm, duke deklaruar se ekzistonte një “rrezik kritik” i një numri të madh të studentëve të infektuar që shkaktojnë shpërthime në të gjithë vendin kur ata u kthyen në shtëpi në fund të vitit akademik.

Related Articles

Back to top button
Close
Close