BotaLajme

Ministri i Jashtëm izraelit thirrje nga Shkupi: Hamasi është si IS-i, do ta eliminojmë!

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, tha se shteti i tij është i përkushtuar që të vazhdojë luftën kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Këto komente ai i bëri para nisjes së takimit dyditor të Këshillit Ministror të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE) në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 240 të tjerë.

Kryediplomati Cohen tha se “7 tetori ishte një ditë tragjike për Izraelin dhe se për të gjitha vuajtjet e njerëzve në Gazë, murin e krijuar dhe pengjet e marra në Gazë, fajtor është Hamasi”. “Hamasi është si IS-i [grupi militant, Shteti Islamik]”, tha ministri Cohen në Shkup. Krahasime mes Hamasit dhe IS-it – grup që disa vjet më parë është mposhtur në Siri dhe Irak – kishte bërë më herët edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Deklaratat e Cohen vijnë në ditën kur Izraeli dhe Hamasi për herë të dytë u pajtuan të zgjasnin armëpushimin, që parasheh lirimin e pengjeve nga Hamasi në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli. Marrëveshja fillestare e armëpushimit u arrit të premten, më 24 nëntor. Deri më tani, gjatë gjashtë ditëve të armëpushimit, 73 izraelitë janë liruar nga Hamasi, përfshirë edhe persona me shtetësi të dyfishtë. Po ashtu, janë liruar edhe 24 pengje, 23 tajlandezë dhe një filipinas.

Ministri i Jashtëm i Izraelit tha se shteti i tij është i përkushtuar për lirimin e të gjitha pengjeve dhe eliminimin e Hamasit. “Krime të tilla nuk duhet të ndodhin askund në botë”, tha Cohen. Izraeli ka thënë se do të vazhdojë të mbajë armëpushimin deri kur Hamasi të ndalojë së liruari pengje, dhe pas kësaj Izraeli do të rinisë ofensivën e tij me qëllim që të shkatërrojë grupin radikal.Top24

Related Articles

Back to top button
Close
Close