Maqedonia e Veriut ka përgatitur shumë strategji dhe dokumente, ka krijuar edhe politika, por tani fokusi duhet të vihet në implementimin. Vendi duhet të harmonizojë urgjentisht legjislacionin nacional me standardet dhe legjislacionin më të ri të BE-së për burimet e rinovueshme dhe efikasitetin energjetik, në mënyrë që të mbajë hapin me tendencat e zhvillimit të Unionit. Gjithashtu do të duhet të krijojë mekanizmat e nevojshëm për të qenë pjesë e skemës së shkëmbimit të energjisë së BE-së në të ardhmen, tha sot ambasadori i BE-së në vend Dejvid Gir.
Në fjalimin në Forumin e 7-të për energjetikë (FEM), Gir theksoi se prodhimi në Maqedoninë e Veriut në masë të madhe varet nga importi i lëndëve djegëse fosile – gazi, qymyri, derivatet e naftës të cilat janë subjekt i luhatjeve të çmimeve, si dhe ndërprerjeve të mundshme rreth furnizimit. Sipas tij, kriza ka treguar se është mirë të kemi një treg energjetik funksional, i cili do të ofrojë shërbime cilësore, siguri në furnizim, por edhe çmime të kapshme dhe kjo do të thotë se duhet të investuar shumë.
Gir tha se tranzicioni i gjelbër kërkon zgjidhje të zgjuara. Procesi, tha ai, nuk është as i lehtë dhe as i shpejtë dhe është shumë e rëndësishme që kalimi nga lëndët djegëse fosile në energjinë e gjelbër të ndodhë në mënyrë të drejtë. Ai theksoi se të gjithë ata që punojnë në sektorin e energjetikës do të duhet të kalojnë trajnime të reja dhe të zotërojnë aftësi të reja.
“Gjithçka që përmenda tani duhet të përfshihet në listën e gjatë të punëve që duhen përmbushur. Duke parë përpara, ne duhet të avancojmë mundësitë ekzistuese. Maqedonia e Veriut ka shumë resurse natyrore, erë, ujë, diell dhe ka një potencial të madh për t’i ushqyer këto burime të rinovueshme. Është i nevojshëm një koordinim efektiv mes institucioneve dhe të gjithë aktorëve përkatës, të mbështetur nga resurset njerëzore dhe financiare. E di që kjo do të jetë një sfidë e madhe për qeverinë e re. Do të jetë shumë e rëndësishme që legjislacioni nacional të harmonizohet urgjentisht me standardet më të reja të BE-së dhe legjislacionin evropian për burimet e rinovueshme dhe efikasitetin energjetik, për të ecur në hap me trendët e zhvillimit të BE-së”, nënvizon euroambasadori.
Varësia nga lëndët djegëse fosile ka bërë që pjesë të sektorit të shndërrohen nga ndotësit më të mëdhenj në “emisione të gjelbra”, por këtu thekson Gir nuk merret parasysh ndotja nga KME Manastir dhe Osllomej.
“BE është këtu për ta mbështetur Maqedoninë e Veriut. Tranzicioni energjetik është i nevojshëm kudo në rajon dhe është një aspekt i rrjetit në drejtim të ruajtjes më të madhe dhe krijimit të burimeve të rinovueshme”, shton Gir.
Ai iu referua Direktivës për burimet e rinovueshme të energjisë, duke rikujtuar se qëllimi është rritja e pjesës së energjisë së rinovueshme në konsumin e përgjithshëm të energjisë së BE-së në 42.5 për qind deri në vitin 2030, me mundësi rritje shtesë edhe me 2.5 pikë përqindje në nivel nga 45 për qind. Direktiva parashikon që çdo vit tre për qind e ndërtesave publike të rinovohen sipas efikasitetit energjetik, si dhe të gjitha ndërtesat e reja nga viti 2030 më tej të prodhojnë zero emetim të gazrave të dëmshëm.
“Katërdhjetë për qind e rrjetit evropian të furnizimit me energji janë të vjetra mbi 40-50 vjeç dhe janë rreth termocentraleve të vendosura, varemi shumë nga lëndët djegëse fosile, është e nevojshme të rimendohen financat se si të furnizohen jo vetëm ndërmarrjet e vogla dhe të mesme por edhe familjet. Një transformim industrial është i nevojshëm për një të ardhme të gjelbër, e cila nga ana tjetër do ta bëjë ekonominë më konkurruese”, thekson Gir.