LajmeMaqedoniOpinionTopLajm

Frymëzimi i dyshimeve

Problemi më i madh i qeverisjes së ardhshme është që  i ka frymëzuar të gjithë ata që mendojnë se duhet rishikuar gjërat që u janë dhënë “tepër” shqiptarëve në kohën e BDI-së dhe LSDM-së. Disa shenja nuk janë të mira…

U dridh mali, na doli një mi! Ja, kjo mund të thuhet pas konstituimit të Kuvendit, ku u zgjodh kryetar një shqiptar, në traditën që tashmë e ka krijuar BDI-ja.

Asgjë e re, jo ndonjë befasi, por ja që një pjesë e publikut u mor pak edhe me këtë. Me faktin që një parti që ka qenë kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit kur u bë ajo gjëmë e madhe me gjakosje deputetësh më 27 prillin e 2017-tës. Me faktin që partia që bëri pothuajse puç institucional, për të mos u zgjedhur Talati sepse është shqiptar, tash propozon një shqiptar dhe a është kjo mashtrim elektoral? Pastaj u shtua pak edhe betimi i vetë Afrim Gashit, së pari shqip e pastaj maqedonisht, edhe kjo si një hata e madhe. Më pyetën edhe mua nga një portal se çka mendoj për këtë, unë thashë se kjo shpejt do të harrohet dhe nëse nuk do të ma kishit shtruar këtë pyetje, as që do të kisha vërejtur se ka ndonjë problem, sepse vërtet nuk di nëse ligji i jep përparësi të drejtës individuale për ta përdorur gjuhën amtare apo obligimit institucional. Dhe vërtet, mendoj, se ish çka ish, kjo shpejt do të harrohet.

Por, në portalin ku më kishin pyetur për këtë dhe ca gjëra tjera, ishte përgjigjur edhe dikush tjetër, i cili, prej se iku Gruevski në Hungari, u bë njëri ndër kundërshtarët më të mëdhenj të tij dhe njëri që angazhohej për reforma brenda VMRO-së. Demek, për ta demokratizuar. Si një antigruevist i bindur, shkonte nga TV-ja në TV për të dhënë leksione demokracie. Mjaltë i rridhte prej goje. Thuase me konceptin e tij politik, kjo parti do të bëhej më demokratikja në vend dhe në botë…Dhe ndërkohë, edhe unë edhe publiku KISHTE harruar që ekzistonte, sepse si duket nuk e gjeti vendin që donte ose rolin që ta kryente. Tash në të njëjtin vend kritikonte gjestin e betimit në gjuhën shqipe, jo pse e ka nxjerrë përpara betimit maqedonisht, po edhe më shumë se kaq: ligjin për përdorimin e gjuhës e konsideronte si antikushtetues dhe si të tillë duhet të anulohet në një procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij në Gjykatën kushtetuese!

Ja, kështu demokratë e antiautokratë të politikave të gabuara të deritashme, e koncipojnë drejtësinë dhe barazinë. Në këto ditë pas konstituimit të Kuvendit, u gjetën edhe zëra të tjerë të cilët e panë momentin për t’iu kthyer ligjit të përdorimit të gjuhëve. Njëri prej tyre, si më korrekt në shikim të parë, deklaroi se gjesti i afrimit nuk është i kundërligjshëm, sepse kështu ia mundëson “ligji i Zoran Zaevit”…Mbase edhe ai mendon të njëjtën gjë, se duhet rishikuar!

Unë për vete s’desha t’u kushtoj shumë rëndësi këtyre komenteve që duan të na kthejnë prapa, sepse e di se një gjë e tillë është e pamundur, por sikur nuk më le rehat dyshimi se si ka thënë Haveli “më të këqij se komunistët, janë antikomunistët” dhe më duket se rikthimi i VMRO-së në pushtet, po i frymëzon këta “antikomunistë” që ta inkurajojnë Mickoskin t’i rishikojë disa gjëra që “Zaevi ua fali shqiptarëve”, ose që “BDI-ja i fitoi falë dobësisë së LSDM-së”, teza këto mjaft “atraktive” për veshë! E kjo do të ishte vërtet një sfidë e rëndë për partitë shqiptare që do të përfshihen në këtë qeveri nëse Qeveria ku janë ato vërtet shfaq këso apetitesh.

Nëse kthehemi prapa, në një periudhë opozitarizmi dhe varësie të Mickoskit nga mbështetja e partive shqiptare, kishte shprehur do shenja fleksibiliteti sa i përket heqjen së kategorisë së “20 përqindëshit” për gjuhën shqipe në kushtetutë, por kjo u harrua fare prej tij. Gjatë vitit të fundit, jo vetëm që nuk e ka përmendur një mundësi të këtillë si shenjë e vullnetit të mirë për ta tejkaluar këtë shpërputhje, por dhe ka përmendur edhe revidimin e disa çështjeve tjera që prekin drejtpërdrejtë çështjen e barazisë së arritur gjatë qeverisjes së BDI-së, siç është përfaqësimi i drejtë në administratë ose vendosja me shumicë Badenteri. Unë nuk besoj se do të ketë guximin t’i prekë ato, sepse nuk mendoj se ka parti shqiptare që do ta shikonte këtë rehat, por në atë që besoj se mund të ndodhë, është që ndonjë individ apo subjekt “jashtpartiak”, që të ngre iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe në një atmosferë të re “më të favorshme” se në kohën e qeverisë së mëparshme, të ndërrojë edhe disponimi në Gjyaktën Kushtetuese! Ndonëse, një gjë e tillë do të ishte akt antikushtetues, pasi kushtetuta njeh dy gjuhë zyrtare.

Një “film” i këtillë, s’do të shihej për herë të parë!

Për vete bie në grupin e atyre që përfundimet i nxjerr pasi të shohë diçka konkrete dhe nuk paragjykon para kohe. Edhe për këtë qeveri nuk do të isha i prirë të paragjykoj, përveç faktit se partnerët shqiptarë të koalicionit nuk do të jenë në të njëjtën pozitë të favorshme siç ishte BDI-ja. Kjo për shumë arsye. Një nga këto, është edhe çështja e raportit të forcave. Mickoski e tha qartë kur zhvilloheshin bisedimet për qeveri, se pozicioni i secilit do të jetë në bazë të forcës politike. Desh të thotë unë kam 58 deputetë dhe jam zot absolut i gjithçkasë.

Qeveria ende nuk është zgjedhur, por në tavolinë tashmë i kanë ndarë edhe ministritë, dhe bie në sy që tash diçka që u jep të drejtë kritikuesve të Mickoskit rreth orientimit. Ai në qeverinë e tij, atje ku deri tash ka qenë Artan Grubi, do ta çojë ministër kryetarin e Partisë Demokratike të Serbëve, i cili vetëm pak kohë më parë akuzoi Bujar Osmanin për përkrahjen Rezolutës kundër gjenocidit në Srebrenicë! Pra, përderisa gjithë vendet e BE-së ku synojmë të shkojmë, e kanë përkrahur këtë rezolutë, kemi një ministër të qeverisë së re, që mohon krimin e madh të luftës në Bosnjë që e ka parë gjithë bota. Sigurisht edhe qëndrimi ndaj agresionit rus në Ukrainë për të mund të jetë diçka normale, ndonëse vendi unë e ka dënuar këtë agresion! Pse iu desh Mickoskit ta bëjë ministër një të tillë dhe përse bash në ministrinë ku janë bërë punësimet që e kanë përmirësuar strukturën etnike në administratë në dobi të shqiptarëve, është një gjest jo pak i çuditshëm që ngre dyshime rreth orientimit të saj dhe të politikave që do t’i ndjekë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close