LajmeMaqedoniTopLajm

Fjalimi i kryeparlamentarit Xhaferi në evenimentin “Fëmijët e ndërmarrin Kuvendin”

Më lejoni para se ta ndërmerrni foltoren e Kuvendit, të ndaj me ju gëzimin që sot me kolegët e mi jemi bashkë me ju në këtë ditë të bukur – Ditën botërore të fëmijës, dhe kam rastin që t’ju uroj mirëseardhje në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal dhe t’ju uroj punë të mbarë parlamentare.

Më vjen mirë që në këtë jubile të rëndësishëm, në 30-vjetorin e ratifikimit të Konventës për të drejtat e fëmijëve dhe 30-vjetorit të punës së UNICEF-it, ju e zgjodhët pikërisht Kuvendin si institucion përfaqësues i qytetarëve për të shënuar këtë ditë.

A ju jeni qytetarët e ardhshëm e këtij vendi dhe kjo seancë e sotme plenare është mundësi për informimin tuaj për atë se cili është roli i dhomës ligjvënëse, cila është fuqia e ligjeve që votohen këtu dhe sa i rëndësishëm është roli mbikëqyrës që e kanë deputetët e zgjedhur mbi pushtetin ekzekutiv, respektivisht ministrat që i vënë në jetë dispozitat e shkruara ligjore.

Prandaj është e shkëlqyer ideja të mund të shprehni këtu nga foltorja nevojat, brengat dhe zgjidhjet që ju si fëmijë dhe si të rinj ju prekin dhe i ndjeni drejtpërdrejtë mbi vete dhe mbi jetën tuaj. Para se të shprehni shqetësimin tuaj, dua t’ju siguroj se as ne të rriturit nuk jemi imunë ndaj ndryshimeve nëpër të cilat kaloni edhe ju si fëmijë, bashkë me të gjithë ne në këtë kohë zë kushteve të ndryshuara për jetë, për mësim, për rritje, në këtë kohë të kanosjeve serioze për fat të keq edhe ndaj sigurisë së jetës së fëmijëve.

Të dashur fëmijë,

Më vjen keq që si të rritur nuk arritëm të ndërtojmë një botë më të sigurt për të gjithë fëmijët. Botë në të cilën asnjë fëmijë nuk do të jetë e privuar nga ngrohtësia familjare, nga gjumi i qetë në shtëpinë e vet dhe nga ushqimi i ngrohtë, dyer të hapura shkollore dhe përkujdesje cilësore shëndetësore kur të nevojitet. Ju jeni përgjegjësia jonë, ndërgjegjja jonë dhe ajo që e bëjmë, ajo që ju mësojmë dhe për çka ju japim shembull personal është ajo në të cilën do e shndërroni botën edhe ju në të ardhme.

Prandaj, sot ne të rriturit do të dëgjojmë me vëmendje atë që do e ndani ju  dhe do të orientohemi kah përmirësimi i gjendjeve në disa prej fushave që ju shqetësojnë, si për shembull në arsim, shëndeti juaj mental dhe pjesëmarrja juaj në krijimin e politikave. E di se këto nuk janë brengat e juaja të vetme, mirëpo, kur ka vizion të qartë dhe vullnet të sinqertë për ndryshimin e gjerave, asnjë qëllim nuk është i paarritshëm.

Asnjë fëmijë nuk guxon të mbesë jashtë sistemit arsimor cilësor, sistem i cili do të përshtate ndaj kohës së re dhe do të mundësojë zhvillim personal të nxënësve. Në atë rreth të transformimit, doemos të inkuadrohen në mënyrë të barabartë edhe nxënësit, edhe arsimtarët, edhe prindërit!

Siguria digjitale është edhe një fushë në të cilën ai rreth i bashkëpunimit ndërmjet nxënësve, arsimtarëve dhe prindërve është i domosdoshëm për parandalimin e dëmtimit të shëndetit tuaj mental. Mos hezitoni të kërkoni ndihmë në atë rreth kur t’ju duhet. Kjo nuk do ju bëjë të dobët, por të mençur. Ju nuk jeni vetë!

Pjesëmarrja juaj në krijimin e politikave do të fusë freski dhe energji dhe unë ju mbështes plotësisht në përmbushjen e qëllimit për formimin e Kuvendit nacional për të Rinj i cili do të jetë motori i cili do të krijojë prioritete dhe politika për përfaqësimin Tuaj, të rinjve në mënyrën më të mirë të mundur.

Të dashur të rinj,

Ju faleminderit për besimin që ia jepni Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është shtëpia Juaj, siç është Juaja edhe bota e cila ju mbetet Ju! Hapëroni guximshëm dhe sigurt!

Ju faleminderit për vëmendjen!

Related Articles

Back to top button
Close
Close